Tensionet në Lindjen e Mesme kanë shpërthyer në një fazë të re dramatike. Izraeli ka ndërmarrë atë që e cilësoi si një “sulm parandalues” kundër Iranit në orët e para të mëngjesit të së shtunës, duke shpallur njëkohësisht gjendjen e jashtëzakonshme në të gjithë territorin e vendit.
Ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, konfirmoi operacionin ushtarak, ndërsa autoritetet paralajmëruan për një kundërpërgjigje të mundshme iraniane me dronë dhe raketa balistike. Për këtë arsye, qeveria izraelite aktivizoi masat emergjente në shkallë kombëtare.
Sipas burimeve të cituara nga CNN, sulmi ishte i koordinuar me Shtetet e Bashkuara, megjithëse mbetet e paqartë nëse SHBA-të morën pjesë drejtpërdrejt në operacion apo nëse bëhet fjalë për një veprim të njëanshëm izraelit me mbështetje strategjike amerikane.
Objektivat kryesore të goditura ishin raketat balistike dhe lëshuesit e tyre – sisteme që Izraeli i konsideron kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë kombëtare.
Menjëherë pas sulmit, Izraeli mbylli hapësirën ajrore. Komanda e Frontit të Brendshëm urdhëroi qytetarët të kufizojnë lëvizjet vetëm në aktivitete thelbësore. Tubimet publike, puna dhe shkollat janë pezulluar, me përjashtim të sektorëve që konsiderohen jetikë.
Rajoni ndodhet tashmë në një prag përshkallëzimi të rrezikshëm, ndërsa sytë e botës janë kthyer nga reagimi i Teheranit.









