Ish-ministri i Financave, Arben Malaj, ka reaguar ashpër pas ndryshimeve të fundit në qeveri, duke i kërkuar dorëheqjen kryeministrit Edi Rama.
Malaj e cilësoi situatën në vend si kritike dhe bëri thirrje për marrje përgjegjësish, duke theksuar se duhen iniciativa qytetare dhe jo vetëm partiake për të kthyer drejtimin e vendit. Sipas tij, lëvizjet e fundit në kabinet janë “jo dinjitoze” dhe tregojnë një kulturë vendimmarrjeje të përqendruar tek një person i vetëm.
Ai nuk kurseu kritikat as ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, duke deklaruar se Rama dhe Berisha i kanë kthyer partitë politike në “sh.p.k personale”, ku vendimet merren sipas interesave të drejtuesve dhe jo mbi bazë parimesh demokratike.
Deklaratat e Malajt u bënë gjatë një interviste në Report Tv, ku ai theksoi se ndryshimet e shpeshta në qeveri tregojnë mungesë stabiliteti dhe vizioni shtetformues.









