Ish-diplomati serb Nebojsha Vujoviq ka deklaruar se vizita e ministrit të Jashtëm serb Marko Gjuriq në Uashington lidhet me një marrëveshje sekrete për njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Në një intervistë për agjencinë Beta, Vujoviq pretendoi se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është i gatshëm të njohë Kosovën për të qëndruar në pushtet dhe për të shmangur sanksione të mundshme amerikane që lidhen me korrupsionin dhe sundimin e ligjit.
Sipas tij, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, e ka informuar Gjuriqin për një marrëveshje detyruese që do të çonte drejt njohjes formale të Kosovës nga Serbia. Vujoviq shtoi se një zhvillim i tillë do të përbënte sukses për administratën e presidentit Donald Trump, ndërsa do të ndikonte edhe në raportet me Bashkimin Evropian dhe Rusinë.
Ai e cilësoi vizitën e Gjuriqit si një “përpjekje të dëshpëruar” të regjimit në Beograd për të siguruar mbijetesën politike, duke pretenduar se Vuçiq synon të blejë kohë dhe të shtyjë çdo masë ndëshkuese nga SHBA.
Nga ana tjetër, pas vizitës disaditore në Uashington, Gjuriq deklaroi se Serbia ka bërë hapa përpara në marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke theksuar se bisedimet me zyrtarët amerikanë kanë rritur mirëkuptimin për prioritetet kombëtare të Serbisë.









