Sulmuesi nigerian Victor Osimhen realizoi golin vendimtar në kohën shtesë për Galatasaray ndaj Juventus në UEFA Champions League, duke shuar përfundimisht shpresat e bardhezinjve për rikthim dhe duke siguruar kualifikimin në fazën e 1/8-ave.
Megjithatë, pas golit, Osimhen zgjodhi të mos festojë. Sulmuesi e sqaroi vendimin e tij menjëherë pas ndeshjes, duke theksuar respektin për trajnerin Luciano Spalletti.
“Nuk kishte arsye për të festuar. Është e rëndësishme të respektosh një njeri që ka luajtur rol të madh në karrierën time. Flas për Spallettin,” deklaroi Osimhen për mediat.
Futbollisti kishte folur edhe më herët me superlativa për ish-trajnerin e tij te Napoli, duke theksuar se ai “nxori më të mirën” prej tij dhe se përkushtimi i Spallettit ishte maksimal. “I detyrohem shumë,” shtoi sulmuesi, ndërsa nuk harroi të vlerësojë edhe trajnerin aktual të Galatasarayt, Okan Buruk, të cilin e konsideron më të mirin në Turqi.
Deklaratat e tij rikthejnë në vëmendje edhe zërat e mëparshëm për një kalim të mundshëm te Juventusi, për të cilin Osimhen kishte thënë se do të ishte “privilegj” të luante.
Duke analizuar ndeshjen, sulmuesi u tregua i sinqertë: “Luajtëm dobët, madje edhe me një lojtar më shumë. Nuk kishte nevojë të festoja. Nuk jam ai futbollist që fsheh emocionet. Pashë tifozët që duartrokisnin Juven…”
Pavarësisht kritikës ndaj performancës, Osimhen theksoi se fitorja dhe kualifikimi mbeten objektivi kryesor, ndërsa Galatasaray tashmë sheh përpara drejt fazës tjetër të kompeticionit.









