Frederiksen çon Danimarkën në zgjedhje të parakohshme mes tensioneve për Groenlandën dhe përplasjes me Trump

Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, ka shpallur mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, duke theksuar se katër vitet e ardhshme do të jenë vendimtare për të ardhmen e vendit dhe për marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë.

Në një fjalim para parlamentit, Frederiksen deklaroi se Danimarka dhe Evropa duhet të forcojnë qëndrueshmërinë e tyre. “Ne, si danezë dhe si evropianë, duhet të qëndrojmë në këmbët tona. Duhet të përcaktojmë marrëdhënien tonë me Shtetet e Bashkuara,” u shpreh ajo.

Zhvillimet e fundit politike në vend janë dominuar nga deklaratat e presidentit amerikan Donald Trump, i cili ka kërcënuar me aneksimin e Groenlanda, territor gjysmë-autonom nën sovranitetin danez. Megjithëse më vonë Trump u tërhoq nga retorika për përdorimin e forcës ndaj një aleati të NATO-s, ai ka argumentuar se ishulli Arktik ka rëndësi strategjike për mbrojtjen nga kërcënimet e mundshme nga Rusia dhe Kina.

Frederiksen theksoi se siguria do të mbetet themeli i politikës daneze për vitet në vijim. “Duhet të riarmatosemi për të garantuar paqen në kontinentin tonë. Duhet të qëndrojmë të bashkuar në Evropë dhe të sigurojmë të ardhmen e komunitetit danez – Danimarkës, Groenlandës dhe Ishujve Faroe,” deklaroi ajo, duke kërkuar një mandat të fortë për partinë e saj, Social Demokratët.

Aktualisht, mbi 100 ushtarakë amerikanë janë të stacionuar në një bazë në veriperëndim të Groenlandës, strukturë e operuar nga SHBA që prej Luftës së Dytë Botërore. Si Kopenhaga ashtu edhe autoritetet në Groenlandë kanë theksuar se sovraniteti nuk është i negociueshëm, ndërsa partnerët evropianë kanë shprehur mbështetje për këtë qëndrim.

Tensionet mund të rriten sërish nëse Trump vijon me planin për të dërguar një anije me furnizime mjekësore në Groenlandë, duke pretenduar se situata shëndetësore në ishull është problematike. Kryeministri i Groenlandës, Jens-Frederik Nielsen, e ka kundërshtuar këtë pretendim, duke theksuar se Groenlanda ofron kujdes shëndetësor falas për të gjithë qytetarët e saj.