Ylli portugez Cristiano Ronaldo ka njoftuar blerjen e 25% të aksioneve të klubit spanjoll UD Almeria, që aktualisht garon në Divizionin e Dytë dhe renditet në vendin e tretë, shumë pranë zonës së ngjitjes në elitën e futbollit spanjoll.
Almeria ndodhet vetëm një dhe dy pikë pas kryesuesve Racing Santander dhe CD Castellon, duke mbajtur gjallë shpresat për rikthim në La Liga sezonin e ardhshëm.
Në një deklaratë zyrtare, Ronaldo u shpreh:
“Gjithmonë kam pasur ambicien të kontribuoj në futboll përtej fushës. UD Almeria është një klub me themele të forta dhe potencial të qartë rritjeje. Jam vërtet i emocionuar që do të punoj me ekipin drejtues për të mbështetur fazën tjetër të zhvillimit të klubit.”
Investimi do të bëhet përmes “CR7 Sports Investments”, një degë e re e kompanisë së tij CR7 SA, e krijuar për të menaxhuar investimet e Ronaldos në sportin profesionist.
Presidenti i Almerias, Mohamed Al Khereiji, konfirmoi marrëveshjen dhe vlerësoi afrimin e portugezit:
“Jemi shumë të lumtur që Cristiano ka zgjedhur klubin tonë për të investuar. Ai konsiderohet lojtari më i mirë i të gjitha kohërave, njeh shumë mirë futbollin spanjoll dhe e kupton potencialin që po ndërtojmë.”
Ditët e fundit në Spanjë qarkulluan spekulime se Ronaldo mund ta mbyllte karrierën si lojtar te Almeria, por në fakt ajo që po përmbyllej ishte marrëveshja për blerjen e aksioneve — investimi i tij i parë i madh në një klub spanjoll.









