Bayern Munich po ndjek nga afër sulmuesin e TSG 1899 Hoffenheim, Fisnik Asllani, si një alternativë të mundshme për repartin ofensiv, në rolin e zëvendësuesit të Harry Kane.
23-vjeçari, i cili përfaqëson Kosovën në arenën ndërkombëtare, konsiderohet nga drejtuesit bavarezë si një investim me potencial të lartë zhvillimi. Një nga arsyet që e bën Asllanin një objektiv tërheqës është klauzola e lirimit, e raportuar nën 30 milionë euro – një shifër e përballueshme për gjigantin gjerman.
Sipas burimeve nga Gjermania, Bayerni e sheh Asllanin si një projekt afatgjatë, që mund të ofrojë thellësi pas Kane dhe gradualisht të marrë më shumë përgjegjësi në skuadër.
Sulmuesi ka spikatur këtë sezon në Bundesligë me shtatë gola dhe gjashtë asistime në 21 paraqitje për Hoffenheimin. Shpejtësia, instinkti për gol dhe angazhimi pa top e kanë kthyer në një nga talentet më premtuese të kampionatit, duke tërhequr interes edhe nga rivalët e Borussia Dortmund.
Nëse lëvizja konkretizohet gjatë verës, Asllani mund të bëjë hapin më të madh të karrierës, duke iu bashkuar një prej klubeve më të mëdha në Europë.









