MESAZHI/ Brukseli nëpërmjet McAllister komenton draftin e PS – Të mos preket Reforma në Drejtësi e 2016

Partia Socialiste ka depozituar në Kuvend një nismë për ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale, e cila synon të ndalojë pezullimin nga detyra të Presidentit, Kryeministrit, zv.kryeministrit, ministrave dhe gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Gjatë një konference për mediat, kreu i Komisionit të Jashtëm në Parlamentin Europian, David McAllister, u pyet lidhur me këtë iniciativë, por zgjodhi t’ia kalojë fjalën ambasadorit të BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato.

Gonzato deklaroi se Brukseli po i ndjek nga afër të gjitha nismat që lidhen me shtetin e së drejtës, duke theksuar se prioritet mbetet ruajtja e Reformës në Drejtësi të vitit 2016.

“Ne i ndjekim nga afër të gjitha nismat e qeverisë që kanë lidhje me shtetin ligjor. Jo vetëm që jemi të kujdesshëm për harmonizimin e tyre me legjislacionin e BE-së, por edhe që të mos preket Reforma në Drejtësi e vitit 2016. Sa i takon ndikimit konkret në këtë rast, nuk kam një koment specifik,” u shpreh Gonzato.

Qëndrimi i BE-së nënvizon se çdo ndërhyrje ligjore duhet të jetë në përputhje me standardet europiane dhe të mos cenojë arritjet e reformës së ndërmarrë një dekadë më parë.