Në përfundim të takimeve me përfaqësues të klasës politike shqiptare në kuadër të procesit të integrimit, kryesuesi i delegacionit të Parlamentit Europian, David McAllister, doli në një konferencë për mediat ku ndau konkluzionet e vizitës në Tiranë.
Ai theksoi se eurodeputetët e shohin me shqetësim nivelin e lartë të polarizimit politik në vend, duke nënvizuar se klima aktuale nuk i shërben procesit të integrimit europian.
“Integrimi në BE bazohet në merita. Ne e vlerësojmë faktin që integrimi mbetet prioritet, por jemi të shqetësuar për polarizimin politik. Shumica duhet të angazhohet në dialog me opozitën. Protestat e dhunshme nuk kanë vend në një demokraci funksionale,” u shpreh McAllister.
Ai shtoi se përtej miratimit të ligjeve, thelbësore mbetet zbatimi i tyre në praktikë, duke theksuar se Shqipëria ka ende punë për të bërë në rrugën drejt Bashkimit Europian.









