Kancelari gjerman Friedrich Merz ka pranuar se Bashkimi Evropian ka vonuar procesin e zgjerimit drejt Ballkanit Perëndimor, duke theksuar nevojën për një qasje të re dhe më të vendosur.
I pyetur nga presidenti malazez Jakov Milatović mbi perspektivën evropiane të rajonit, Merz u shpreh se ndihet “gjithnjë e më i pakëndshëm” me mënyrën se si BE-ja ka trajtuar vendet aspirante.
“Duhet të rihapim një strategji të re. Nuk dua t’ju humbas. Ju jeni pjesë e kontinentit evropian dhe potencialisht pjesë e Bashkimit Evropian. Ka një ‘elefant në dhomë’ – të gjithë e dimë kush është kundër, por duhet ta kapërcejmë këtë,” deklaroi ai.
Kancelari theksoi se hapja e kapitujve të rinj kërkon votë unanime në Këshillin Evropian, por shtoi se kjo pengesë duhet të tejkalohet. Ai shprehu shpresën që pas zgjedhjeve të prillit të ketë lëvizje konkrete për të afruar më tej vendet e rajonit me Bashkimi Evropian, deri në anëtarësimin e plotë.
Në fjalën e tij, Merz foli edhe për ndryshimet në rendin global, duke theksuar se bota nuk është më njëpolare. Sipas tij, udhëheqja e SHBA-së po sfidohet, ndërsa Kina po rrit fuqinë e saj, madje duke synuar barazimin ushtarak me Amerikën.
Ai nënvizoi gjithashtu se ekonomia e BE-së është shumëfish më e madhe se ajo e Rusisë, por Evropa nuk po e shfrytëzon plotësisht potencialin e saj. “Liria nuk është më e garantuar – ajo duhet të mbrohet,” përfundoi kancelari gjerman.









