E përditshmja britanike Daily Mail i ka kushtuar një analizë të detajuar rënies së ndikimit të Richard Grenell në rrethin e ngushtë të presidentit amerikan Donald Trump.
Sipas raportimit, Grenell – i cili për vite me radhë u përpoq të pozicionohej si një nga figurat më besnike dhe më luftarake të lëvizjes MAGA – sot nuk gëzon më të njëjtin besim në administratë, madje konsiderohet një nga figurat më pak të preferuara nga shefja e stafit të presidentit, Susie Wiles.
Në vitin 2020, Grenell kishte ambicie të qarta për të drejtuar komunitetin amerikan të inteligjencës. Gjashtë vite më vonë, ai u emërua në krye të John F. Kennedy Center for the Performing Arts – një rol që u pa nga shumë analistë si një zhvendosje nga qendra reale e vendimmarrjes politike drejt një pozicioni më simbolik.
Raporti thekson se kthesa vendimtare në karrierën e tij erdhi gjatë përplasjes për dosjen e Venezuelës. I emëruar si i dërguar special, Grenell mbështeti një qasje më pragmatike dhe negociuese, ndërsa Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, këmbëngulte për “presion maksimal” ndaj regjimit të Nicolas Maduro-s. Përplasja përfundoi me dobësimin e rolit të Grenellit, pasi Susie Wiles ja dha mbështetjen Marco Rubios.

Tensionet mes Grenellit dhe Wiles, sipas burimeve, kishin nisur që gjatë fushatës zgjedhore, kur ai përflitej si kandidat potencial për zëvendëspresident. Një debat i ashpër për kohën e fjalimit të tij në Konventën Kombëtare Republikane thuhet se u shndërrua në përplasje personale, duke i mbyllur rrugën për poste të larta në administratën e re.
Në të njëjtën kohë, aktivitetet e tij private – përfshirë bashkëpunimin me Affinity Partners të Jared Kushner – kanë ngritur pikëpyetje mbi ndërthurjen e interesave publike dhe private. Disa diplomatë e cilësojnë si “diplomat transaksional”, ndërsa të tjerë theksojnë se stili i tij konfrontues ka lënë marrëdhënie të dëmtuara në prapaskenë.
Sipas Daily Mail, edhe drejtimi i Qendrës Kennedy është përballur me polemika, përfshirë debate mbi buxhetin dhe reagime kritike nga komuniteti artistik. Burime pranë tij sugjerojnë se Grenell mund të largohet nga ky post brenda vitit.
Ambicia e tij për t’u bërë një ditë sekretar shteti mbetet e njohur, por, siç citohet një ish-zyrtar i administratës Trump, pozicionimi i tij në debatet e brendshme e ka vendosur “në anën e gabuar”. Për momentin, figura që dikur synonte postet më të larta të diplomacisë amerikane shihet si një aktor me ndikim të zbehur dhe me të ardhme të paqartë në orbitën e Trump.









