DAKORTESI/ SHBA, Danimarka dhe Grenlanda koordinohen – Kopenhageni dërgon F-35 në misionin e NATO-s në Arktik

Kryeministrja daneze Mette Frederiksen pritet të zhvillojë një takim me Sekretarin amerikan të Shtetit Marco Rubio gjatë punimeve të Munich Security Conference, ku në qendër të diskutimeve do të jetë çështja e Grenlandës dhe siguria në rajonin e Arktikut.

Në takim do të marrë pjesë edhe kryeministri i Grenlandës, Jens-Frederik Nielsen, sipas njoftimit të Parlamentit të Grenlandës për transmetuesin publik danez DR.

Ndërkohë, ministri danez i Mbrojtjes, Trolls Lund Poulsen, bëri të ditur se Danimarka do të kontribuojë me katër avionë luftarakë F-35 në misionin “Arctic Sentry” të NATO.

Aleanca njoftoi nisjen e këtij misioni për të forcuar praninë në Arktik, në një kohë kur tensionet janë shtuar pas deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump lidhur me rëndësinë strategjike të Grenlandës për sigurinë kombëtare të SHBA-ve.

“Kontributi ynë me F-35 rrit praninë e përgjithshme në rajon dhe thekson rolin e Danimarkës si një aleat aktiv në Arktik dhe Atlantikun e Veriut”, deklaroi Poulsen, duke shtuar se pret edhe angazhimin e Shteteve të Bashkuara në këtë mision të NATO-s.

Zhvillimet e fundit sinjalizojnë një koordinim më të ngushtë mes SHBA-ve, Danimarkës dhe Grenlandës, ndërsa Arktiku po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një pikë kyçe të rivalitetit strategjik global.