Kryeministri Edi Rama nuk ka marrë pjesë këtë vit në Munich Security Conference, një nga forumet më të rëndësishme globale ku mblidhen liderë shtetesh, ministra të jashtëm e të mbrojtjes, drejtues të NATO, Bashkimi Evropian dhe OKB, si edhe ekspertë të sigurisë dhe diplomatë nga mbarë bota.
Në vend të tij, Shqipëria përfaqësohet nga kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i cili ka zhvilluar takime në kuadër të konferencës.
Megjithatë, vizita u shoqërua me një pasaktësi në komunikimin publik. Në një postim në rrjetet sociale, Balla e cilësoi Richard Grenell si të Dërguarin Special të Presidentit Donald Trump për Misionet Speciale të SHBA-së.
Ndërkohë, Grenell prej rreth një viti mban detyrën e drejtorit ekzekutiv të përkohshëm të John F. Kennedy Center for the Performing Arts, një nga institucionet më të njohura kulturore në Shtetet e Bashkuara.
Konferenca e Mynihut mbetet një platformë kyçe për diskutimin e sfidave globale të sigurisë dhe drejtimet e reja të politikës ndërkombëtare, ndërsa pjesëmarrja e përfaqësuesve shqiptarë këtë vit ka tërhequr vëmendje edhe për detaje që lidhen me komunikimin publik.










