Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka paralajmëruar nisjen e një “epoke të re” në gjeopolitikë, teksa udhëton drejt Evropës për të marrë pjesë në Munich Security Conference.
Rubio do të kryesojë delegacionin amerikan në këtë forum të rëndësishëm ndërkombëtar, i pari i këtij niveli që prej deklaratave të forta të presidentit Donald Trump lidhur me Grenlandën – një çështje që ka tensionuar raportet me Danimarkën dhe ka ndezur debat mbi angazhimin amerikan në Evropë.
Në prag të konferencës, presidenti francez Emmanuel Macron ka theksuar nevojën që Evropa të përgatitet për më shumë pavarësi strategjike nga SHBA-të, ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i NATO, Mark Rutte, ka insistuar se lidhjet transatlantike mbeten jetike dhe më të forta se kurrë.
Në axhendën e diskutimeve pritet të dominojnë lufta në Ukrainë, përplasjet me Kinën dhe mundësia e një marrëveshjeje të re bërthamore mes SHBA-së dhe Iranit.
“Bota po ndryshon me shpejtësi para syve tanë. Po hyjmë në një epokë të re gjeopolitike dhe duhet të rishqyrtojmë rolin tonë në të,” është shprehur Rubio.
Konferenca vjen në një klimë delikate, një vit pasi zëvendëspresidenti amerikan JD Vance kritikoi ashpër Evropën për politikat mbi lirinë e shprehjes dhe emigracionin, duke shkaktuar tensione të paprecedenta mes dy brigjeve të Atlantikut.
Këtë vit, rreth 50 liderë botërorë do të marrin pjesë në forum, ku në fokus do të jenë mbrojtja evropiane dhe e ardhmja e marrëdhënieve SHBA–Evropë, në një moment kur angazhimi amerikan ndaj NATO-s shihet me skepticizëm në disa kryeqytete.
Ndërsa pritet që Rubio të adoptojë një ton më diplomatik se paraardhësit në këtë forum, ai la të kuptohet se mesazhi do të jetë i qartë: “Evropianët duan të dinë se ku po shkojmë dhe ku duam të shkojmë bashkë me ta.”









