“Zgjedhorja” nën kritikë – Mediu kërkon ndërhyrjen e OSBE-ODIHR: Procesi ka degraduar prej 2013-s

Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, ka kërkuar që OSBE-ODIHR të përfshihet me asistencë teknike në hartimin e reformës së re zgjedhore.

Gjatë mbledhjes së Komisionit për Reformën Zgjedhore, Mediu theksoi se një pjesë e konsiderueshme e rekomandimeve të dhëna ndër vite nga OSBE-ODIHR nuk janë zbatuar, duke sjellë, sipas tij, degradim të procesit zgjedhor pas vitit 2013.

“E nisim gjithmonë me vullnet të mirë për reformë, por procesi zgjedhor ka degraduar. Ka shumë rekomandime të OSBE-ODIHR që nuk janë përmbushur. Duhet të kërkojmë asistencë teknike prej tyre,” u shpreh Mediu.

Ai shtoi se përfaqësuesit e Kuvendit duhet të tregojnë më shumë kujdes dhe profesionalizëm në hartimin e ndryshimeve, duke shmangur dublimet dhe duke bashkëpunuar me ekspertizën ndërkombëtare. Sipas tij, reforma duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe parimet e parlamentarizmit, ku partitë garojnë dhe qytetarët vendosin.

Mediu ngriti gjithashtu shqetësimin për përfaqësimin në Kuvend, duke theksuar se një përqindje e lartë e deputetëve janë produkt i listave të mbyllura, çka sipas tij dobëson lidhjen direkte me votuesin.

Deklaratat e tij rikthejnë në fokus debatin për barazinë në garën zgjedhore dhe rolin e ekspertizës ndërkombëtare në garantimin e standardeve demokratike.