Pas molotovëve një ditë më parë – opozita i rikthehet tryezës me rregjimin për Territorialen – Boçi kërkon konsensus – Mazniku: Të mos bllokohet puna

Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale u mblodh këtë 11 shkurt, me rikthimin e opozitës në tryezë pas tensioneve të mëparshme politike.

Bashkëkryetari demokrat i komisionit, Luçiano Boçi, theksoi se marrëdhëniet mes mazhorancës dhe opozitës në Kuvend mbeten të tensionuara dhe fajësoi Partinë Socialiste për këtë situatë. Ai paralajmëroi se pa një produkt të përbashkët, puna e komisionit humbet kuptimin.

“Mos bëjmë rolin e atij që mbyll sytë dhe veshët. Marrëdhëniet në Kuvend nuk janë në normalitet. Nëse në fund del një variant i personalizuar politikisht, atëherë çfarë kuptimi ka komisioni? Na duhet një produkt konsensual,” u shpreh Boçi.

Nga ana tjetër, bashkëkryetari socialist Arbjan Mazniku kërkoi nisjen e menjëhershme të punës dhe shmangien e bllokimeve nga opozita.

“Kemi një agjendë të ngjeshur. Kjo reformë do të jetë e mirë për vendin nëse e çojmë përpara së bashku. Mirëbesimi nuk mund të kthehet në bllokim të procesit,” tha Mazniku.

Ai theksoi se reforma lidhet drejtpërdrejt me procesin e integrimit në BE, duke nënvizuar se në periudhën 2027–2029 duhen bashki më funksionale, të afta jo vetëm të ofrojnë shërbime, por edhe të tërheqin fonde dhe projekte evropiane.

Në rendin e ditës së mbledhjes:

  • Miratimi i procesverbalit të 11 nëntorit 2025
  • Caktimi i sekretarit të Komisionit
  • Miratimi i planit të punës dhe kalendarit sipas afateve të reja
  • Miratimi i emrave të ekspertëve pranë Komisionit