Drejtori për Europën dhe Azinë në Byronë e Çështjeve Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit në Departamentin Amerikan të Shtetit, Mark Tervakoski, zhvilloi këtë të mërkurë takime me drejtues të lartë të institucioneve të drejtësisë dhe sigurisë në Shqipëri.
Gjatë vizitës, ai u takua me kreun e SPAK, Klodian Braho, ministrin e Drejtësisë Besfort Lamallari, ministren e Brendshme Albana Koçiu, gjyqtarin e GJKKO Erjon Bani, Presidentin Bajram Begaj, si dhe përfaqësues të tjerë të sistemit të drejtësisë, zbatimit të ligjit, shoqërisë civile dhe misioneve ndërkombëtare në vend.
Në reagimin e ambasadës theksohet se këto takime pasqyrojnë forcën e partneritetit mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë në fushën e zbatimit të ligjit, si dhe angazhimin për të luftuar krimin e organizuar ndërkombëtar dhe trafikun e narkotikëve.
“Shtetet e Bashkuara janë të përqendruara në ofrimin e aftësive, mjeteve dhe bashkëpunimit – në Shqipëri dhe globalisht – për partnerët që ndajnë angazhimin tonë për të luftuar kriminelët që dëmtojnë qytetarët tanë, kërcënojnë kufijtë dhe cenojnë sigurinë kombëtare,” thuhet në deklaratë.









