Italia dhe Polonia kanë vendosur të mos marrin pjesë në Këshillin e Paqes të propozuar nga presidenti amerikan Donald Trump, duke iu shtuar vendeve aleate të SHBA-së që po mbajnë distancë nga kjo nismë.
Struktura, e konceptuar fillimisht për të mbështetur konsolidimin e armëpushimit në Gaza, sipas Trump pritet të ketë një rol më të gjerë në menaxhimin e konflikteve ndërkombëtare. Megjithatë, disa shtete shprehin shqetësim se ky mekanizëm mund të krijojë një strukturë paralele që konkurron me rolin e Kombeve të Bashkuara.
Ftesa për pjesëmarrje e Rusisë dhe Bjellorusisë ka shtuar më tej hezitimin në kryeqytetet perëndimore.
Kryeministri polak Donald Tusk deklaroi se Varshava nuk do të përfshihet për momentin:
“Duke marrë parasysh dyshimet tona lidhur me formën e këshillit, Polonia nuk do të marrë pjesë në punën e tij në këto rrethana,” tha ai gjatë një mbledhjeje qeveritare.
Megjithatë, Tusk theksoi se marrëdhëniet me SHBA-në mbeten prioritet dhe la të hapur mundësinë e rishikimit të qëndrimit nëse ndryshojnë kushtet.
Edhe Italia konfirmoi refuzimin. Ministri i Jashtëm Antonio Tajani deklaroi për Sky TG24 se ekziston një “pengesë kushtetuese e pakapërcyeshme” që e ndalon Romën të bëhet pjesë e Këshillit në formatin aktual.
Sipas Kushtetutës italiane, vendi mund të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare vetëm në kushte të barabarta me anëtarët e tjerë – kriter që, sipas Romës, nuk përmbushet, pasi statuti i Këshillit i jep Trumpit kompetenca të zgjeruara ekzekutive.
Megjithatë, Tajani shtoi se Italia mbetet e gatshme të kontribuojë në përpjekjet për rindërtim dhe stabilitet në Lindjen e Mesme, jashtë këtij formati.
Më herët, kryeministrja Giorgia Meloni kishte bërë të ditur se i kishte kërkuar Trumpit rishikim të kushteve të Këshillit, në mënyrë që Italia të mund të përfshihej









