Kryeministri hungarez Viktor Orbán ka akuzuar Bashkimin Evropian dhe Ukrainën se i kanë “shpallur luftë” Hungarisë, pas një artikulli të publikuar nga Politico që flet për skenarë alternativë për afrimin e Ukrainës me BE-në dhe mënyra për të anashkaluar veton hungareze.
Orbán e quajti Politico-n “botimin zyrtar të elitës brukseliane” dhe idetë e përmendura në artikull si “planin më të fundit të luftës” kundër vendit të tij. Sipas tij, këto plane synojnë të shpërfillin vullnetin e popullit hungarez dhe të dobësojnë qeverinë aktuale.
“Ky është një shpallje e hapur lufte kundër Hungarisë. Ata duan të largojnë qeverinë hungareze me çdo mjet dhe të sjellin në pushtet Partinë Tisza, sepse atëherë nuk do të ketë më veto, as rezistencë dhe as qëndrim jashtë konfliktit të tyre,” deklaroi Orbán.
Ai u bëri thirrje qytetarëve që të reagojnë në zgjedhjet e prillit, duke theksuar se, sipas tij, partia Fidesz mbetet “garancia e vetme e sovranitetit hungarez” përballë presionit nga Brukseli.
Artikulli i Politico përmend një ide të pazakontë për “pranim paraprak” të Ukrainës në BE, me një formë anëtarësimi të pjesshëm që nga viti 2027, pa zbutur kërkesat për parimet themelore. Gjithashtu përshkruhen disa opsione brenda BE-së për të menaxhuar kundërshtimin e fortë të Hungarisë ndaj hapave të mëtejshëm të integrimit të Ukrainës.
Ndërkohë, lideri i opozitës së Partisë Tisza, Péter Magyar, ka deklaruar se rrethi i Orbán po përgatit një fushatë shantazhi ndaj tij, përmes publikimit të videove intime të regjistruara me kamera të fshehta, por ai këmbëngul se nuk ka asnjë material komprometues.
Sipas sondazheve të fundit, Partia Tisza ka dalë përpara Fidesz-it me disa pikë përqindjeje, duke e bërë klimën politike në Hungari edhe më të tensionuar.









