Ish-kryetari i Bashkisë së Rrogozhinës, Edison Memolla, ka reaguar publikisht pasi Apeli i GJKKO-së e dënoi me 1 vit burg për korrupsion në zgjedhje, dënim që ai do ta vuajë në burgun e Rrogozhinës.
Në një mesazh të gjatë nga qelia, Memolla e cilëson veten “të burgosur politik” dhe jo kriminel, duke theksuar se beteja e tij ligjore nuk përfundon me këtë vendim. Ai paralajmëron se do ta ndjekë çështjen deri në Gjykatën e Strasburgut, duke pretenduar se vendimi ndaj tij është i ndikuar politikisht.
Sipas tij, “tentakulat e gjyqtarëve kundërshtarë politikë” shtrihen më larg sesa besimi që ai ka pasur tek drejtësia e re. Megjithatë, ai shprehet se nuk ka marrë asnjë “peshqesh” nga Partia Socialiste, duke hedhur poshtë zërat për përçarje politike brenda mazhorancës.
Memolla nënvizon se gjatë drejtimit të tij në Rrogozhinë, bashkë me PS-në dhe kryeministrin Edi Rama, janë fituar pesë palë zgjedhje, duke e konsideruar këtë si provë të mbështetjes qytetare.
Ai flet edhe për sulme personale e familjare ndër vite, por shprehet se do të vazhdonte të ndihmonte qytetarët në nevojë, edhe nëse kjo i ka sjellë pasoja ligjore. Në fund të reagimit, ai ka një mesazh për familjen: “Mbani kokën lart, jam i burgosur por nuk jam kriminel.”
Pas vendimit të Apelit, Bashkia e Rrogozhinës mbetet pa kryetar, ndërsa pritet zhvillimi i zgjedhjeve të parakohshme për drejtimin e saj.









