Dosja “Buka” në GJKKO – SPAK paraqet dëshmitarët në gjyqin ndaj ish-zv/kryeministrit Arben Ahmetaj

Ka vijuar në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar procesi gjyqësor ndaj ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj, i akuzuar për “shpërdorim detyre” në lidhje me privatizimin e ish-ndërmarrjes “Buka”.

Sipas organit të akuzës, procedura e privatizimit dyshohet se i ka shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm prej rreth 7 miliardë lekësh.

Gjatë seancës së kësaj të mërkure, Prokuroria e Posaçme (SPAK) prezantoi listën e dëshmitarëve që do të thirren në proces. I pari në listë është Lirim Fejzollari, i identifikuar si përfitues i ankandit për privatizimin e aksioneve shtetërore të ish-furrës së bukës.

Sipas raportimeve nga salla e gjyqit, seanca e radhës është caktuar për 24 shkurt, ora 14:00.

Përveç çështjes “Buka”, Ahmetaj është nën hetim edhe për vepra të tjera penale, përfshirë “pastrim parash”, “fshehje të pasurisë” dhe “korrupsion pasiv”, në kuadër të dosjes së inceneratorëve.

Ai ndodhet jashtë Shqipërisë që prej vitit 2023 dhe ka mohuar akuzat e ngritura ndaj tij.