Banorët e disa fshatrave të Thumanës kanë bllokuar për rreth një orë aksin që i lidh me autostradën Thumanë–Kashar, pranë fshatit Gramzë, në shenjë proteste për gjendjen e rënduar të rrugës.
Sipas tyre, një segment prej rreth 500 metrash është kthyer në një rrezik të përditshëm për drejtuesit e automjeteve. Asfalti i amortizuar, gropat e thella dhe mungesa e ndërhyrjeve kanë krijuar probleme serioze në qarkullim dhe dëme të vazhdueshme në mjete.
Protestuesit kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme dhe rikonstruksion të plotë të rrugës, duke paralajmëruar se nuk do të ndalen me kaq. Ata shprehen të vendosur të vijojnë reagimet deri në zgjidhjen përfundimtare të situatës.
Banorët theksojnë se kjo rrugë është lidhja e tyre kryesore me autostradën dhe çdo vonesë në ndërhyrje po e kthen lëvizjen e përditshme në një makth.









