NATO mblidhet në Bruksel – Në qendër të diskutimeve Ukraina dhe Ballkani Perëndimor

Ministrat e Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s do të takohen më 12 shkurt 2026 në selinë e Aleancës në Bruksel, në një takim ministror të drejtuar nga Sekretari i Përgjithshëm, Mark Rutte.

Në qendër të diskutimeve do të jenë mbështetja për Ukrainën, forcimi i krahut lindor të Aleancës dhe realizimi i angazhimeve për rritjen e shpenzimeve në mbrojtje. Në Samitin e NATO-s 2025, vendet aleate ranë dakord të investojnë deri në vitin 2035 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) në mbrojtje dhe siguri.

Deklaratat nga NATO nënvizojnë se ministrat do të vlerësojnë progresin që nga Samiti i Hagës, do të diskutojnë përgatitjet për Samitin e ardhshëm në Ankara më 7-8 korrik 2026, si dhe mbështetjen e vazhdueshme për Ukrainën përmes Këshillit NATO-Ukrainë, me pjesëmarrjen e ministrit ukrainas të Mbrojtjes, Mykhailo Fedorov, dhe Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Kaja Kallas.

Takimi do të trajtojë gjithashtu zbatimin e të gjitha misioneve dhe aktiviteteve të udhëhequra nga NATO, përfshirë KFOR-in, misionin më të gjatë dhe më të madh të Aleancës. Ballkani Perëndimor mbetet në qendër të agjendës, me fokus stabilitetin dhe sigurinë në rajon.

Zyrtarët e NATO-s theksojnë se angazhimi i Aleancës për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor është i palëkundur dhe nuk do të lejohet krijimi i një vakuumi sigurie.