Raporti më i fundit i Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit (CPI) 2025 nga Transparency International tregon se Shqipëria ka shënuar regres në luftën kundër korrupsionit. Nga 42 pikë në vitin 2024, vendi ka marrë këtë vit 39 pikë nga 100, duke humbur 11 pozicione dhe renditur Shqipërinë të 91-tën ndër 182 vende.
Sipas raportit, një nga sfidat kryesore mbetet mungesa e procedurave konkurruese, siç shihet në rastin e ishullit të Sazanit, ku kompania e Jared Kushner, dhëndrit të presidentit amerikan Donald Trump, mori statusin e investitorit strategjik për një projekt 10-vjeçar turistik, pavarësisht shqetësimeve të ambientalistëve.
Raporti gjithashtu thekson se gjyqtarët dhe prokurorët po bëhen objekt i sulmeve nga qeveritë, duke dobësuar ndjeshëm reagimin e sistemit gjyqësor ndaj korrupsionit. Transparency International vlerëson se forcimi i institucioneve të pavarura dhe transparenca në vendimmarrje janë thelbësore për të parandaluar keqpërdorimin e fondeve publike dhe ndikimin e interesave private.
Lidija Prokic, këshilltare rajonale në Transparency International, nënvizoi: “Korrupsioni nuk është i pashmangshëm; ai lulëzon aty ku demokracia dobësohet dhe llogaridhënia dështon. Qeveritë duhet të mbrojnë pavarësinë gjyqësore dhe hapësirën qytetare, përndryshe qytetarët mbeten të prekshëm ndaj abuzimeve të pushtetit.”
“Korrupsioni në Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore nuk është i pashmangshëm; ai lulëzon aty ku demokracia dobësohet dhe llogaridhënia dështon. Qeveritë duhet të forcojnë urgjentisht pavarësinë gjyqësore, të mbrojnë hapësirën qytetare dhe të sigurojnë transparencë në institucionet publike, ose rrezikojnë t’i lënë qytetarët të prekshëm ndaj abuzimit të rrënjosur të pushtetit”, tha Lidija Prokic, këshilltare rajonale në Transparency International.










