Armenia dhe Shtetet e Bashkuara kanë finalizuar një marrëveshje bashkëpunimi në fushën e energjisë bërthamore civile, duke mbyllur negociatat për të ashtuquajturat marrëveshje “123”. Njoftimi u bë nga kryeministri armen Nikol Pashinyan gjatë një daljeje të përbashkët me zëvendëspresidentin amerikan JD Vance.
Sipas Pashinyanit, deklarata e nënshkruar mes dy qeverive shënon nisjen e një etape të re në marrëdhëniet energjetike mes dy vendeve dhe synon të thellojë partneritetin strategjik në këtë sektor. Ai theksoi se marrëveshja do të ndihmojë Armeninë në diversifikimin e burimeve të energjisë dhe forcimin e sigurisë energjetike.
“Pak minuta më parë nënshkruam deklaratën e përbashkët mes qeverive tona. Ky dokument hap rrugën për bashkëpunim më të thellë dhe më të strukturuar në energjinë bërthamore paqësore”, u shpreh kryeministri armen.
Marrëveshjet e tipit “123” janë kuadri ligjor që rregullon bashkëpunimin ndërkombëtar të SHBA-së në fushën e energjisë bërthamore civile, duke vendosur standarde për përdorim paqësor dhe siguri teknike.









