KRIZA POLITIKE/ Dy figura kyçe të qeverisë britanike largohen Starmer refuzon dorëheqjen: “Ecim përpara me besim”

Kryeministri britanik Keir Starmer ka përjashtuar mundësinë e dorëheqjes, pavarësisht trysnisë së shtuar politike pas largimit të dy figurave kyçe nga ekipi i tij.

“Duhet të tregojmë se politika mund të jetë një forcë për të mirën. Unë e besoj këtë. Ne ecim përpara nga këtu. Ecim me besim, ndërsa vazhdojmë të ndryshojmë vendin”, u shpreh Starmer para stafit të tij, sipas raportimit të The Telegraph.

Kriza u thellua pas dorëheqjes së shefit të zyrës së kryeministrit, Morgan McSweeney, i cili mori përgjegjësinë për polemikat rreth emërimit të Peter Mandelson si ambasador në SHBA. Emri i Mandelson u përfshi në debat për shkak të lidhjeve të mëparshme me financierin amerikan Jeffrey Epstein. McSweeney e cilësoi vendimin si gabim dhe dha dorëheqjen, ndërsa më pas u largua edhe drejtori i komunikimit i Starmer, Tim Allan.

Starmer e falënderoi publikisht McSweeney për punën e tij shumëvjeçare në Parti dhe në qeveri, duke vlerësuar përkushtimin e tij ndaj Laburistëve dhe vendit.

Sipas Bloomberg, burime brenda Partisë Laburiste kanë vlerësuar si të pasigurta shanset që Starmer të qëndrojë në krye të qeverisë në ditët në vijim, ndërsa Sky News raporton se ai pritet t’u drejtohet deputetëve laburistë për të shmangur çdo nismë për largimin e tij.

Pavarësisht zhvillimeve, Starmer sinjalizon se synon të vazhdojë drejtimin e qeverisë mes një prej momenteve më të vështira politike për të.