Kryeministri Edi Rama zhvillon mbrëmjen e kësaj të hëne një vizitë zyrtare në Bruksel, ku do të takohet me presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa. Takimi do të mbahet në formatin e një darke pune dhe lidhet drejtpërdrejt me dialogun politik mes Bashkimit Evropian dhe vendeve kandidate.
Zyra e shtypit e Presidentit të Këshillit Evropian konfirmoi për median se takimi zhvillohet “në kontekstin e dialogut politik me Shqipërinë dhe shtetet e tjera kandidate për anëtarësim në BE”.
Në qendër të bisedimeve pritet të jetë ecuria e negociatave të Shqipërisë me BE-në, sfidat e mbetura dhe hapat e ardhshëm në procesin e integrimit evropian.
Një nga çështjet kyçe që mbetet e hapur është Raporti i Vlerësimit të Standardeve për Reformimin e Gjyqësorit (IBAR), i lidhur me kapitujt 23 dhe 24 të negociatave, që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit dhe drejtësinë. Shqipëria ende nuk ka siguruar miratimin e plotë të këtij raporti nga shtetet anëtare të BE-së, ndërkohë që pa këtë dokument nuk mund të avancojë procesi i mbylljes së kapitujve.
Në diskutimet e mëparshme në nivel diplomatik, vende të BE-së kanë kërkuar prova konkrete për ndëshkimin e zyrtarëve të lartë të akuzuar për korrupsion, përfshirë vendime gjyqësore përfundimtare dhe sekuestrime pasurish. Këto konsiderohen tregues thelbësorë për progresin e reformës në drejtësi.
Takimi Rama–Costa shihet si një moment i rëndësishëm për të matur ritmin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.









