Një e treta e shqiptarëve jetojnë me ndjenjën e pasigurisë ekonomike. Të dhënat dalin nga raporti më i fundit i Barometrit të Ballkanit, i realizuar nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal, i cili evidenton një mospërputhje të fortë mes statistikave zyrtare të rritjes ekonomike dhe perceptimit real të qytetarëve.
Sipas anketimit, 33.5% e shqiptarëve deklarojnë se nuk ndihen të sigurt për situatën ekonomike në vend. Ekspertët e lidhin këtë pasiguri me nivelin e lartë të emigrimit, pasi shumë qytetarë e shohin largimin si alternativë për stabilitet financiar.
Shqipëria nuk është e vetme në këtë tablo pesimiste. Bosnje-Hercegovina renditet e para për pasiguri ekonomike me 33.9%, e ndjekur nga Serbia me 33.7%, duke formuar atë që cilësohet si “trekëndëshi i ankthit ekonomik” në rajon.
Në krahun tjetër qëndron Kosova, ku qytetarët rezultojnë më optimistët. Vetëm 16.8% e të anketuarve atje shprehen të pasigurt ekonomikisht — rreth gjysma e nivelit të raportuar në Shqipëri.
Ndërkohë, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut pozicionohen në mes të tabelës, me nivele pasigurie ekonomike që variojnë mes 23% dhe 24%.
Raporti nënvizon se, pavarësisht treguesve makroekonomikë, perceptimi i qytetarëve për mirëqenien e tyre mbetet një sfidë reale për qeveritë e rajonit.









