Japonia nën pushtetin e acarit – Dëbora shkakton të paktën 45 viktima dhe qindra të plagosur

Reshjet intensive të dëborës që kanë përfshirë Japoninë që prej 20 janarit kanë shkaktuar pasoja të rënda, me të paktën 45 persona të vdekur dhe mbi 500 të plagosur në shkallë kombëtare, raportojnë mediat ndërkombëtare.

Autoritetet japoneze bëjnë të ditur se situata mbetet kritike, ndërsa vendi po përgatitet për një tjetër valë reshjesh gjatë fundjavës. Agjencia e Menaxhimit të Zjarrfikësve dhe Fatkeqësive konfirmoi bilancin e viktimave, duke theksuar se shumica e rasteve lidhen me aksidente, rrëzime dhe incidente gjatë pastrimit të dëborës.

Zonat më të goditura

Rajoni veriperëndimor i prefekturës Niigata rezulton më i prekuri, me 17 viktima dhe mbi 170 të lënduar. Reshje të dendura janë regjistruar edhe në Aomori dhe Wakkanai, ku dhjetëra automjete kanë mbetur të bllokuara për shkak të trashësisë së dëborës dhe kushteve të vështira në rrugë.

Paralajmërime të reja

Agjencia Meteorologjike e Japonisë ka paralajmëruar për reshje të tjera të dendura bore në ditët në vijim, veçanërisht në zonat bregdetare veriore dhe perëndimore. Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të shmangin udhëtimet e panevojshme, të jenë të përgatitur për ndërprerje të trafikut dhe të tregojnë kujdes të shtuar ndaj rrezikut të ortekëve.

Këto zhvillime vijnë në një moment delikat për vendin, pasi Japonia po përgatitet për zgjedhjet e përgjithshme të së dielës, ndërsa kushtet e motit mund të ndikojnë edhe në lëvizjen e votuesve.