Nga bignews
Ka diçka thellësisht ironike — për të mos thënë fyese për inteligjencën e publikut — kur Ilir Meta, nga pas hekurave, del e jep leksione se si duhet bërë opozita dhe kush e paska fajin për rrënimin e saj. Historia politike shqiptare ka parë shumë paradokse, por ky është ndër më groteskët: një nga arkitektët e tranzicionit të kalbur, që flet si reformator.
Pyetja nuk është çfarë tha Meta.
Pyetja është: me çfarë morali e tha?
Ilir Meta nuk është spektator i krizës së opozitës. Ai është bashkëautor. Një nga njerëzit që e ka përdorur politikën shqiptare si pazar personal, ku idealet shiten me shumicë dhe pushteti blihet me pakicë.
21 Janari – PD mbajti koston morale dhe politike të asaj dite, por blloku i Metës ishte pjesë e drejtpërdrejtë e konfigurimit të pushtetit që prodhoi atë klimë përplasjeje.
1 Prilli 2013 – marrëveshja e Metës me Ramën nuk ishte akt stabiliteti; ishte akt mbijetese politike. Ajo i hapi derën Edi Ramës drejt pushtetit, duke ndryshuar boshtin e qeverisjes.
Reforma territoriale – u votua edhe me votat e Metës, një nga instrumentet më të forta të konsolidimit të pushtetit vendor të PS-së.
Në këmbim? Meta mori gjithçka që sistemi mund t’i jepte: Kryetar Kuvendi, President Republike. Një karrierë e ndërtuar jo mbi parime, por mbi balancim pazari.
Dhe sot, pasi është konsumuar politikisht, i braktisur nga aleatët e djeshëm dhe përballë drejtësisë, ai flet si profet i opozitarizmit. Kjo nuk është ironi. Është cinizëm i pastër.
Sa për sulmet ndaj Lulzim Bashës dhe adhurimin ndaj Sali Berishës, edhe kjo ka logjikën e vet: politika e hallit kërkon strehë, jo parime. Një lidership që ndodhet përballë akuzave për korrupsion dhe drejtësisë nuk paraqitet si alternativë morale; paraqitet si mburojë reciproke.
Problemi i opozitës nuk është mungesa e fjalëve të forta.
Problemi është mbingarkesa me figura të konsumuara, të cilat kërkojnë rikthim si shpëtimtarë pasi kanë qenë pjesë e problemit për dekada.
Kur njerëzit që kanë ndërtuar sistemin e pazareve dalin sot si revolucionarë, politika nuk po ndryshon — po riciklon krizën
Dhe kjo është arsyeja pse qytetarët nuk shohin më betejë për parime, por luftë për mbijetesë personale.
Opozita nuk ka krizë zëri. Ka krizë morali









