Senatorja amerikane shpërthen ndaj Dodik – T’i rikthehen menjëherë sanksionet

Senatorja amerikane Jeanne Shaheen, anëtare e lartë e Komitetit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të administratës Trump për heqjen e sanksioneve ndaj liderit të Republikës Srpska, Milorad Dodik, duke kërkuar rikthimin e menjëhershëm të masave ndëshkuese.

Në një deklaratë publike, Shaheen u shpreh se administrata duhet “të turpërohet” për vendimin e marrë, duke theksuar se Dodik ka vijuar me retorikë separatiste dhe veprime që, sipas saj, minojnë stabilitetin e Bosnje dhe Hercegovinës.

“Dodik ka përdorur vazhdimisht retorikë që cenon integritetin e Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit. Kjo bie ndesh me arsyetimin e administratës për ta hequr atë dhe bashkëpunëtorët e tij nga lista e sanksioneve në fund të vitit të kaluar”, deklaroi ajo.

Senatorja shtoi se edhe vizita e fundit e Dodikut në Uashington, sipas saj, tregoi se ai nuk është i gatshëm të vendosë interesat e qytetarëve të Bosnje dhe Hercegovinës mbi kalkulimet e tij politike.

Shaheen i bëri thirrje administratës amerikane që të veprojë pa vonesë për rivendosjen e sanksioneve, duke theksuar se masa të tilla janë të parashikuara në paketën më të fundit të Aktit të Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare, të cilën ajo e mbështeti.

Kujtojmë se SHBA vendosi fillimisht sanksione ndaj Dodikut në vitin 2017, duke e cilësuar atë si faktor që rrezikon stabilitetin e Bosnje dhe Hercegovinës dhe zbatimin e Marrëveshjes së Dejtonit. Megjithatë, më 29 tetor 2025, Zyra e Kontrollit të Pasurive të Huaja (OFAC) në Departamentin e Thesarit vendosi heqjen e sanksioneve për Dodikun dhe disa zyrtarë të tjerë nga Republika Srpska, një vendim që ka nxitur reagime të forta politike.