REFUZIMI/ Lapaj i mbyll derën Berishës: “Me PD nuk ka bashkim, nuk kalojmë vijën e kuqe”

Kryetari i lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, ka përjashtuar qartë çdo mundësi bashkëpunimi me Partinë Demokratike, duke deklaruar se mes tyre mungon kohezioni i nevojshëm për një aleancë politike.

Në një intervistë në emisionin “Kjo Javë”, Lapaj bëri të ditur se Sali Berisha ka organizuar së fundmi dy tryeza politike, por përfaqësuesit e nismës së tij kanë refuzuar të marrin pjesë. Sipas tij, bashkimi me PD-në përbën një “vijë të kuqe” që nuk mund të kalohet.

“Nuk arrihet të krijohet kohezioni i duhur me Berishën. Po shkuam ne atje, rrezikojmë të ‘paketohemi’ politikisht dhe mbaron gjithçka”, u shpreh Lapaj, duke lënë të kuptohet se një afrim me PD-në do ta dëmtonte identitetin dhe qëllimin e lëvizjes së tij.

Ai komentoi edhe nismën e ndërmarrë nga Ermal Hasimja dhe figura të tjera publike, duke thënë se mbetet për t’u parë nëse ajo do të ketë sukses. Sipas Lapajt, një grup i kufizuar individësh nuk mjafton për të krijuar energjinë e nevojshme politike, nëse nuk zgjerohet me intelektualë dhe personalitete të besueshme në nivel kombëtar.

Lapaj theksoi se vendit i duhet një “shtresë lidhëse” intelektualësh për të ndërtuar një lëvizje më të gjerë, e cila do të synonte krijimin e një qeverie tranzitore, vendosjen e rregullave të reja të lojës politike dhe një proces të thelluar demokratizimi.

Sipas tij, vetëm përmes një konsensusi të gjerë qytetar mund të detyrohen forcat politike të ulen në tryezë për të rinegociuar rregullat e sistemit.