Nga bignews
Në vend që të ishte një moment reflektimi shpirtëror, “Mëngjesi i Lutjeve” u shndërrua në një skenë të pastër politike, ku lutjet nuk ishin për paqe, drejtësi apo njerëz në nevojë, por për diçka shumë më tokësore: mbijetesën e establishmentit shqiptar.
Pamjet e deputetëve të Berishës dhe atyre të Ramës, krah për krah në korridoret amerikane, duke buzëqeshur për foto me kongresmenë, ishin një shuplakë për gjithë retorikën e ashpër që prodhohet çdo ditë në Tiranë. Aty ku në Shqipëri flitet për “regjim”, “narkoshtet”, “diktaturë” dhe “fund demokracie”, në Uashington palët duken si një delegacion i vetëm që kërkon vulën e shpëtimit.
I gjithë “ekskursioni” kishte një qëllim të thjeshtë: fotografi. Jo diplomaci reale, jo negociata për interesa konkrete kombëtare, por imazhe që do të konsumohen në rrjetet sociale dhe studio televizive, për t’u thënë shqiptarëve: “Na shihni, jemi me amerikanët”. Si të ishte politika një konkurs selfie-sh dhe jo përballje idesh e përgjegjësish.
Hipokrizia bëhet edhe më e rëndë kur mendon tonin e brendshëm. Në Tiranë digjen fjalët: tradhtarë, armiq, kriminelë, të kapur nga korrupsioni. Në Uashington, po këta njerëz rrinë pranë njëri-tjetrit, presin radhën për të shtrënguar duar dhe për të siguruar një foto që do të përdoret si “certifikatë pastërtie” politike.
Kjo tregon se “lufta” mes pushtetit dhe opozitës është shpesh më shumë teatër për publikun sesa përplasje reale sistemesh. Një luftë e menaxhuar, ku fjalët janë ekstreme, por vijat e kuqe të sistemit nuk preken kurrë. Askush nuk e përmbys tavolinën, sepse të gjithë hanë në të njëjtën tryezë kur vjen puna te legjitimiteti ndërkombëtar.
Ironia është se një aktivitet me emër fetar u përdor si ritual politik pastrimi. Jo rrëfim mëkatesh, por marketing imazhi. Jo lutje për qytetarët që ikin nga vendi, por lutje që karrierat të mos bien. Një lloj diplomacie e frikës, ku mesazhi i vërtetë nuk është “Zot, na udhëhiq”, por “Uashington, mos na lësho”.
Dhe ndërsa ata bëjnë foto në sallone luksoze, shqiptarët mbeten me të njëjtat halle: çmimet, ikjen, drejtësinë që lëkundet, besimin që tretet. Mëngjesi i lutjeve mbaron për disa orë. Por lutja e establishmentit për shpëtim zgjat dhe kërkon të fitojë kohë, si i mbyturi pas fijes së barit.













