“Dosja Balluku” trondit Brukselin – Rama anulon vizitën në Vlorë pas sinjaleve alarmante nga BE

Një forum për integrimin europian i zhvilluar në Vlorë fundjavën e kaluar kaloi pothuajse në heshtje, por ajo që ndodhi në prapaskenë duket se ka prodhuar shumë më tepër zhurmë sesa vetë aktiviteti. Kryeministri Edi Rama anuloi në minutën e fundit pjesëmarrjen në panelin “Edhe disa hapa akoma drejt BE”, ku pritej të ishte krah raportuesit për Shqipërinë në PE, Andreas Schieder, ambasadores franceze Catherine Suard dhe ministres së Jashtme Elisa Spiropali.

Sipas burimeve mediatike, shkaku i anulimit lidhet me zhvillime në Bruksel rreth hetimeve të SPAK për Belinda Ballukun dhe tensioneve që kjo çështje ka krijuar në raport me partnerët europianë. Të premten, më 30 janar, në ndërtesën “Justus Lipsius” u zhvillua një takim i Grupit të Punës për Zgjerimin në Këshillin e BE-së, ku diplomatët e vendeve anëtare diskutuan mbi ecurinë e vendeve kandidate, përfshirë Shqipërinë.

Në fokus, sipas të njëjtave burime, ka qenë situata e shtetit ligjor dhe konkretisht çështja e zv.kryeministres Belinda Balluku, ndaj së cilës SPAK po zhvillon hetime, ndërkohë që ajo vijon të qëndrojë në detyrë. Qëndrime kritike mësohet të kenë shprehur përfaqësues nga vende kyçe si Gjermania, Franca dhe Holanda, duke ngritur shqetësime për klimën e investimeve, procedurat e prokurimeve publike dhe mesazhin që jep trajtimi i kësaj çështjeje për luftën kundër korrupsionit.

Pas këtyre diskutimeve, raportohet se komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, ka kontaktuar kryeministrin Rama për ta informuar mbi klimën e debatit. Kjo, sipas burimeve, ka nxitur reagim urgjent nga kreu i qeverisë, i cili anuloi udhëtimin dhe u angazhua në komunikime me disa kancelari europiane për të zbutur situatën dhe për të shmangur përshkallëzim diplomatik.

Ndërkohë, në Tiranë, mazhoranca po zvarrit votimin në Kuvend për autorizimin e arrestimit të Ballukut, duke e lidhur këtë me një çështje në Gjykatën Kushtetuese. Kritikët e shohin këtë si manovër procedurale për të fituar kohë, ndërsa partnerët ndërkombëtarë e shohin si test për seriozitetin e Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë.

Sipas këtyre raportimeve, “dosja Balluku” ka tejkaluar tashmë kufijtë e debatit të brendshëm politik dhe është kthyer në çështje kredibiliteti përpara Bashkimit Europian. Mesazhi që qarkullon në qarqet diplomatike është i qartë: çdo perceptim për pengim të drejtësisë në një rast simbolik mund të ndikojë drejtpërdrejt në ritmin e integrimit, duke e bërë rrugën drejt BE-së jo më “disa hapa”, por shumë më të gjatë.