Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu, ka reaguar prerë ndaj lajmeve që qarkulluan për heqjen e ndalimit të qarkullimit me monopatina, duke i cilësuar ato si të pavërteta dhe duke theksuar se masa mbetet plotësisht në fuqi në të gjithë vendin.
Sipas saj, deri në këto momente nuk ekziston asnjë vendim për të lejuar rikthimin e monopatinave apo mjeteve të tjera elektrike në qarkullim, ndërsa Policia e Shtetit vijon kontrollet e përditshme në terren për zbatimin rigoroz të udhëzimit.
Koçiu thekson se kjo masë ka dhënë efekt konkret në rritjen e sigurisë rrugore. Të dhënat e Policisë dhe të shërbimeve të traumës, sipas ministres, tregojnë një ulje të ndjeshme të aksidenteve gjatë periudhës së ndalimit, veçanërisht tek të rinjtë, të cilët konsiderohen ndër grupet më të rrezikuara.
“Siguria dhe jeta e qytetarëve janë prioritet absolut,” nënvizon ajo, duke shtuar se Ministria e Brendshme, në bashkëpunim me institucionet përkatëse, po vijon analizën e situatës për të marrë një vendimmarrje të mëtejshme, por gjithmonë duke vendosur në plan të parë mbrojtjen e jetës.
Ministrja falënderoi qytetarët për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin, ndërsa apeli mbetet i qartë: ndalimi është ende në fuqi dhe qytetarët nuk duhet të qarkullojnë me monopatina në rrugë.










