Një tension i fortë diplomatik ka shpërthyer mes Shteteve të Bashkuara dhe një prej figurave kryesore të politikës polake, pasi ambasadori amerikan në Varshavë, Tom Rose, ka ndërprerë menjëherë çdo kontakt me kryetarin e parlamentit polak, Włodzimierz Czarzasty, duke e akuzuar atë për “fyerje të rënda” ndaj Donald Trump.
Vendimi i fortë i diplomatit amerikan vjen pasi Czarzasty, një nga drejtuesit e së Majtës dhe pjesë e koalicionit qeverisës pro-evropian në Poloni, kritikoi hapur politikat e Trump dhe refuzoi të mbështesë nismën për ta nominuar atë për Çmimin Nobel për Paqen 2026.
Politikani polak deklaroi publikisht se Trump, sipas tij, po destabilizon organizatat ndërkombëtare duke ndjekur “politikën e forcës” dhe një qasje transaksionale në marrëdhëniet globale. Për këtë arsye, ai u shpreh qartë se nuk do ta mbështesë nominimin e ish-presidentit amerikan për Nobelin e Paqes, duke thënë se “nuk e meriton”.
Reagimi nga Uashingtoni ishte i menjëhershëm dhe i ashpër. Ambasadori Rose njoftoi se SHBA nuk do të ketë më “as marrëveshje, as kontakte, as komunikime” me Czarzasty, duke e cilësuar qëndrimin e tij si një pengesë serioze për marrëdhëniet mes dy vendeve.
Sipas tij, deklaratat e politikanit polak rrezikojnë të dëmtojnë lidhjet e forta SHBA–Poloni dhe përbëjnë mungesë respekti ndaj Trump, për të cilin ai theksoi se “ka bërë shumë për Poloninë dhe popullin polak”.
Nga ana tjetër, Czarzasty reagoi sërish, duke shprehur keqardhje për reagimin e ambasadorit, por duke e bërë të qartë se nuk do të tërhiqet nga qëndrimet e tij “për çështje themelore”.
Përplasja nxjerr në pah balancën e brishtë që po përpiqet të mbajë qeveria polake mes aleancës strategjike me SHBA dhe qëndrimeve kritike ndaj linjës politike të Trump, duke e kthyer këtë episod në një sinjal të fortë tensioni në raportet diplomatike.









