Qeveria heq ndalimin e TikTok: Vendimi mban firmën e Edi Ramës dhe 5 ministrave, por ende nuk ka hyrë në fuqi

Qeveria Shqiptare ka vendosur të lejojë sërish aksesin e plotë në rrjetin social TikTok në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Vendimi është marrë nga Këshilli i Ministrave më 3 shkurt 2026, duke shfuqizuar masën e ndalimit të vendosur rreth një vit më parë.

Vendimi mban firmën e kryeministrit Edi Rama dhe të pesë ministrave, megjithatë ai nuk është publikuar ende në Fletoren Zyrtare. Për pasojë, akti nuk ka hyrë ende në fuqi dhe ndalimi ligjor i TikTok-ut vijon të mbetet aktiv nga pikëpamja juridike.

Heqja e ndalimit vjen në një moment të ndjeshëm institucional, pasi çështja ishte dërguar për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese. Seanca gjyqësore ishte planifikuar të zhvillohej më 5 shkurt 2026, në orën 10:00. Dy ditë përpara seancës, Këshilli i Ministrave i ka kërkuar Gjykatës pushimin e çështjes, duke argumentuar se ajo ka mbetur “pa objekt” për shkak të vendimit të ri.

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) ka reaguar ndaj këtyre zhvillimeve, duke shprehur shqetësim serioz për atë që e cilëson si manovër procedurale për të shmangur përballjen në Gjykatën Kushtetuese. Sipas AGSH-së, këto veprime cenojnë transparencën institucionale dhe shmangin përgjegjësinë për një vendimmarrje që ka ndikuar drejtpërdrejt në lirinë e shprehjes dhe informimit.

Kujtojmë se në mars të vitit 2025, Këshilli i Ministrave vendosi mbylljen e TikTok-ut me argumentin e minimizimit të dhunës mes nxënësve në shkolla. Megjithatë, të dhënat e mëvonshme kanë treguar se, pavarësisht ndalimit të platformës, episodet e dhunës nuk kanë shënuar rënie të ndjeshme.

Në atë kohë, kryeministri Rama theksoi se vendimi nuk ishte i nxituar, por mbështetej në një anketim me rreth 65 mijë prindër, ku sipas tij, 90 për qind kishin kërkuar mbylljen e TikTok-ut, duke e lidhur atë me përhapjen e dhunës në shoqëri.