Me një firmë në dokument, Presidenti Donald Trump vendosi t’i japë fund ngërçit që kishte paralizuar qeverinë federale amerikane për muaj të tërë.
Projektligji për rihapjen e fondeve të qeverisë u miratua në Dhomën e Përfaqësuesve me 217 vota pro dhe 214 kundër. Me miratimin dhe nënshkrimin e këtij ligji, qeveria federale do të rifillojë funksionimin normal deri në fund të shtatorit, duke siguruar financim për agjencitë dhe programet federale.
Mbyllja e qeverisë nisi më 1 tetor, pasi Kongresi nuk arriti të miratonte një buxhet të ri brenda afatit të caktuar. Si pasojë, shumë agjenci federale ndaluan aktivitetet jo thelbësore, ndërsa punonjësit e tyre u dërguan në pushim ose u detyruan të punonin pa pagesë, duke shkaktuar pasiguri për qytetarët dhe familjet e punonjësve.
Ky fund i bllokimit erdhi pas disa zgjatjeve të përkohshme të buxhetit. Në nëntor, Kongresi miratoi një rezolutë që siguronte fonde vetëm deri më 30 janar, e cila më pas u zgjat sërish përmes një ndalese të shkurtër derisa u arrit marrëveshja finale.
Megjithatë, një çështje e pazgjidhur mbetet financimi për Agjencinë e Imigracionit dhe Doganave (ICE). Sipas të dhënave të fundit, ICE pritet të qëndrojë pa fonde për dy javë të tjera, çka mund të ndikojë në operacionet e saj, përfshirë edhe aktivitetet e zbatimit të ligjit mbi imigracionin.









