Një ngjarje e rëndë ka tronditur mbrëmjen e së martës ujërat pranë ishullit grek të Kiosit, ku një mjet lundrues që transportonte emigrantë u përplas me një anije patrulluese të Rojes Bregdetare greke, duke shkaktuar një bilanc tragjik.
Deri tani, autoritetet konfirmojnë 15 viktima, ndërsa dhjetëra persona të tjerë kanë mbetur të plagosur. Aksidenti ndodhi rreth orës 21:00 në zonën detare të Myrsinidios, ku vijojnë ende operacionet intensive të kërkim-shpëtimit për persona të mundshëm të zhdukur.
Sipas të dhënave paraprake, 26 të plagosur janë transportuar në Spitalin e Përgjithshëm të Kiosit me autoambulanca të shërbimit emergjent. Prej tyre, 24 janë shtetas të huaj që ndodheshin në varkë, ndërsa dy të tjerë janë efektivë të Rojes Bregdetare. Rreth mesnatës, një grua e plagosur ndërroi jetë në spital, duke e çuar numrin e viktimave në 15.
Autoritetet bëjnë të ditur se deri më tani janë nxjerrë nga uji 11 burra dhe 4 gra pa shenja jete. Trupat e 14 prej viktimave janë transportuar gjatë natës drejt spitalit të ishullit për procedurat përkatëse. Sipas burimeve zyrtare, deri në këto momente nuk është konstatuar asnjë vdekje si pasojë e mbytjes, çka lë të kuptohet se përplasja ka qenë jashtëzakonisht e fortë.
Ngjarja ka ngritur shqetësime të reja mbi rreziqet e kalimeve detare të emigrantëve në rajon, ndërsa priten hetime të plota për të zbardhur shkaqet e aksidentit fatal.









