SERIA A/ Milan marshon pa mëshirë në Bolonjë – ndjek Interin hap pas hapi

Milani nuk gabon dhe jep një tjetër sinjal force në Serie A. Skuadra e drejtuar nga Massimiliano Allegri triumfoi pastër 3-0 në transfertë ndaj Bolognës, duke iu përgjigjur menjëherë fitores së Interit dhe duke mbajtur të pandryshuar diferencën prej 5 pikësh me kryesuesit.

Kuqezinjtë vendosën ritmin që në pjesën e parë. Pas 20 minutash lojë, Ruben Loftus-Cheek zhbllokoi sfidën me një goditje të saktë me të djathtën, pas asistit të Rabiot, duke korrigjuar gabimin e një rasti të humbur më herët. Bologna provoi të reagojë me Odgaard, por tentativa e tij brenda zonës nuk solli rrezik real.

Në minutën e 36-të, Milani fitoi një penallti pas një prekjeje të topit me dorë nga Ravaglia. Nga pika e bardhë, Nkunku u tregua i ftohtë dhe i saktë, duke dyfishuar shifrat dhe duke i dërguar skuadrat në pushim me avantazhin e qartë të miqve.

Pjesa e dytë nisi me të njëjtin skenar: Milan dominues dhe gol i shpejtë. Këtë herë ishte Adrien Rabiot që gjeti rrugën e rrjetës për 3-0, duke mbyllur praktikisht llogaritë e ndeshjes. Më pas, ritmi ra dhe kuqezinjtë administruan rezultatin pa vështirësi.

Me këtë fitore, Milani ngjitet në kuotën e 50 pikëve në vendin e dytë, duke vazhduar presionin ndaj Interit, ndërsa Bologna mbetet në mesin e tabelës me 30 pikë. Gara për titull mbetet e ndezur — dhe Milani tregon se nuk ka ndërmend të dorëzohet.