PLAS SKANDALI ZGJEDHOR/ Prokuroria fut në sitë Podujevën – dyshime serioze për manipulim votash

Tensionet paszgjedhore po marrin flakë. Prokuroria Themelore në Prishtinë ka hapur zyrtarisht hetime për dyshime mbi manipulim votash në komunën e Podujevës, duke e futur procesin e numërimit nën lupën e drejtësisë.

Me urdhër të prokurorisë, Drejtoria e Hetimeve për Krime Ekonomike dhe Korrupsion ka nisur grumbullimin e provave, pas sinjaleve për mospërputhje në numrin e votave të kandidatëve për deputetë, të konstatuara pas përfundimit të numërimit.

Burime nga hetimi bëjnë të ditur se dyshimet lidhen me parregullsi që mund të kenë ndikuar drejtpërdrejt në rezultatin e votimit në këtë komunë, çka e kthen çështjen në një alarm serioz për integritetin e procesit zgjedhor.

Prokuroria, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka theksuar se do të shkojë deri në fund për zbardhjen e rastit, duke paralajmëruar se askush nuk do të jetë mbi ligjin. Hetimet janë në zhvillim intensiv, ndërsa në nivel vendi janë marrë në pyetje qindra persona dhe dhjetëra janë ndaluar nën dyshimet për manipulime zgjedhore.

Institucionet theksojnë se transparenca dhe respektimi i procedurave ligjore janë kyçe, por rasti i Podujevës pritet të trazojë fort skenën politike në ditët në vijim.