PERPLASJA/ Veliaj shpërthen në gjyq – Kërkon përjashtimin e gjyqtares dhe braktis sallën mes debateve

Seanca gjyqësore ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, është shndërruar në një përplasje të fortë procedurale, me debate të ashpra dhe largimin e tij nga salla e gjyqit.

Veliaj kërkoi përjashtimin e gjyqtares Etleva Deda, duke pretenduar se nuk po i garantohej e drejta për një mbrojtje efektive. Sipas tij, procesi po zhvillohej pa i dhënë hapësirën e nevojshme për t’u shprehur dhe për t’u njohur me aktet.

Nga ana tjetër, avokatja Valentina Teodoresku deklaroi se kishte pasur kohë shumë të kufizuar për të takuar klientin e saj në ambientet e paraburgimit në Durrës, duke theksuar se taksia e kishte pritur vetëm një orë, çka sipas saj e bëri të pamundur përgatitjen e plotë të mbrojtjes. Ajo kërkoi shtyrjen e seancës.

Gjykata e Posaçme (GJKKO) e rrëzoi kërkesën për shtyrje, ndërsa gjyqtarja Deda njoftoi se faza e mbrojtjes konsiderohej e përfunduar dhe kaloi në konkluzionet përfundimtare.

Pas këtij vendimi, tensionet u rritën edhe më shumë. Veliaj deklaroi se, në kushtet kur sipas tij nuk po dëgjohej, do të largohej nga salla e gjyqit — veprim që e shtoi edhe më tej dramën e një seance të mbushur me përplasje.

Çështja pritet të vijojë me zhvillime të forta, ndërsa fokusi tashmë është tek vendimmarrja e gjykatës.