Presidenti Donald Trump ka emëruar Kevin Warsh si pasues të Jerome Powell në krye të Rezervës Federale, duke i dhënë fund një sage të gjatë tensionesh, sulmesh publike dhe përplasjeje të hapur me bankën qendrore amerikane.
Vendimi shënon kulmin e një përplasjeje që zgjat prej vitesh. Që nga emërimi i Powell në vitin 2018, Trump e ka kritikuar vazhdimisht drejtimin e Fed, duke kërkuar ulje më agresive të normave të interesit dhe duke e akuzuar bankën qendrore për frenim të ekonomisë.
“E njoh Kevinin prej shumë kohësh dhe nuk kam asnjë dyshim se do të hyjë në histori si një nga kryetarët më të mëdhenj të Fed, ndoshta më i miri,” deklaroi Trump në Truth Social, duke e shoqëruar përzgjedhjen me tone triumfi.
Warsh, 55 vjeç, nuk është një figurë e panjohur për sistemin financiar amerikan. Ish-zyrtar i Fed dhe me reputacion të fortë në Wall Street, ai shihet nga tregjet si një figurë me peshë, që megjithatë nuk pritet të ndjekë verbërisht linjën e Shtëpisë së Bardhë. Sipas analistëve financiarë, ai gëzon besueshmëri në tregje, çka mund të zbusë goditjen fillestare të ndryshimit në krye të bankës qendrore.
Megjithatë, emërimi vjen në një moment jashtëzakonisht delikat: inflacioni ende nuk është rikthyer plotësisht në objektivin 2%, borxhi i qeverisë po rritet, ndërsa presioni politik mbi Fed ka arritur nivele të paprecedenta. Vetë Powell është përballur me hetime dhe presione ligjore, që ai i ka cilësuar si përpjekje indirekte për të detyruar bankën qendrore të ndjekë vullnetin e presidentit.
Warsh vetë ka dhënë sinjale të forta më herët, duke folur për një “ndryshim regjimi” në Fed dhe për një “deficit besueshmërie” te drejtuesit aktualë — deklarata që paralajmërojnë një drejtim më konfrontues brenda institucionit ku konsensusi është zakonisht kyç.
Procesi i përzgjedhjes ishte intensiv, me mbi dhjetë kandidatë fillestarë, nga zyrtarë aktualë të Fed te figura të Wall Street dhe ekonomistë të njohur. Në fund, gara u ngushtua në disa emra të fortë, por Trump vendosi për Warsh.
Megjithatë, rruga drejt konfirmimit nuk pritet të jetë e lehtë. Në Senat ka sinjale bllokimi, me disa republikanë që kërkojnë më parë sqarim të plotë mbi hetimet që lidhen me Powell, përpara se të japin dritën jeshile për çdo emërim në Fed.
Në planin ekonomik, tregjet nuk presin lëvizje të menjëhershme dramatike. Investitorët parashikojnë maksimumi dy ulje të tjera të normave këtë vit, përpara stabilizimit rreth nivelit 3%. Por beteja e vërtetë duket se nuk është vetëm për normat — është për vetë pavarësinë e Rezervës Federale.
Dhe pikërisht aty, me Warsh në krye dhe Trump në Shtëpinë e Bardhë, përplasja sapo ka hyrë në një fazë të re.









