Testet pesëditore të Formula 1 në Barcelonë u mbyllën me një sinjal të qartë force nga Ferrari dhe Lewis Hamilton. Piloti britanik regjistroi kohën më të shpejtë të ditës së fundit, duke ndalur kronometrin në 1:16.348, plot 246 të mijtat më shpejt se Lando Norris.
Jo vetëm kaq — kjo rezultoi edhe koha më e shpejtë absolute e të gjithë testeve në pistën katalanase. Hamilton përmirësoi me 97 të mijtat kohën e vendosur një ditë më parë nga George Russell me Mercedes, skuadër që tradicionalisht konsiderohet shumë e fortë në këtë pistë, por që nuk zbriti në pistë në ditën e fundit të testeve.
Në sesionin e mëngjesit, ritmin e diktoi piloti tjetër i Ferrarit, Charles Leclerc, i cili më pas bëri edhe një analizë të punës së skuadrës italiane.
“Realizuam të gjithë programin e parashikuar dhe shtymë disi për të gjetur limitet e makinës. Jemi të kënaqur. Ishte një shakedown shumë i dobishëm, pavarësisht kushteve të motit dhe risive teknike. Fituam eksperiencë edhe në kushte shiu, që mund të jetë vendimtare gjatë sezonit. Tani fokusi kalon te Bahreini. Ka shumë entuziazëm për të parë sesi skuadrat dhe pilotët do të përshtaten me rregulloren e re, veçanërisht me risitë në aspektin elektrik. Para testeve të radhës do të analizojmë të dhënat dhe do të punojmë në simulator, për të kuptuar sa afër realitetit janë simulimet tona,” u shpreh Leclerc.
Pas Barcelonës, vëmendja zhvendoset në Bahrein, ku do të zhvillohen dy sesione testesh nga tre ditë secili në pistën e Sakhir. Sesioni i parë do të mbahet më 11–13 shkurt, ndërsa i dyti më 18–20 shkurt. Aty pritet të bashkohet edhe Williams, që ka zgjidhur problemet me makinën e re, duke kompletuar kështu grupin e skuadrave përpara nisjes së sezonit të ri të Formula 1.









