Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka mbyllur derën Komisionit të Përhershëm Parlamentar të njohur si “Komisioni Xhafaj”, duke refuzuar një kërkesë për vizitë monitoruese mbi punën e institucionit në luftën kundër pastrimit të parave. SPAK e ka cilësuar këtë nismë si një kapërcim të kufijve ligjorë dhe një cenim të drejtpërdrejtë të pavarësisë së tij kushtetuese.
Zhvillimi vjen pikërisht në ditën kur Klodian Braho mori detyrën si drejtues i ri i Prokurorisë së Posaçme, duke u paraqitur në mënyrë aktive në Këshillin e Mandateve në Kuvend, ndërsa paralelisht komisioni parlamentar kërkonte të përfshihej në axhendën e SPAK.
Kërkesa e komisionit lidhej me një vizitë monitoruese të planifikuar për 6 shkurt 2026, me fokus rezultatet e SPAK në goditjen e pastrimit të parave. Në argumentimin e saj, pala politike i referohej një shkrese të Agjencisë së Inteligjencës Financiare drejtuar Kuvendit dhe institucioneve të tjera, ku kërkohej disponimi i të dhënave mbi këtë fenomen.
Megjithatë, SPAK e ka refuzuar qartazi këtë takim. Në dokumentin zyrtar, institucioni thekson se çdo praktikë e tillë monitorimi bie ndesh me pavarësinë kushtetuese të Prokurorisë së Posaçme.
“Çdo praktikë për të kryer vizita të tilla monitoruese do të binte ndesh me pavarësinë kushtetuese të Prokurorisë së Posaçme. Kjo pavarësi nuk është vetëm një kërkesë formale ligjore, por edhe një kusht themelor për të siguruar hetime të pavarura, të paanshme dhe efikase, në mbrojtje të interesit publik dhe të sundimit të ligjit,” thuhet në qëndrimin e SPAK.
Megjithatë, Prokuroria e Posaçme lë të hapur derën për bashkëpunim institucional, duke theksuar se është e gatshme të informojë komisionin sipas kuadrit ligjor, por jo t’i nënshtrohet monitorimit.
“Në vijim të dialogut dhe bashkëpunimit ndërinstitucional me komisionin, Prokuroria e Posaçme mbetet e angazhuar për të kontribuar në përcjelljen e çdo informacioni të nevojshëm në funksion të përmbushjes së detyrimeve të saj kushtetuese.”
Në të njëjtën kohë, SPAK kujton se raportimi mbi përmbushjen e rekomandimeve të Task-Forcës është kryer më herët, në kuadër të procesit të monitorimit të Shqipërisë nga MONEYVAL, organizmi ndërkombëtar që vlerëson masat kundër pastrimit të parave.












