ULTIMATUM/ “Nëse arrijmë një marrëveshje, do ishte diçka shumë pozitive – Trump paralajmëron Iranin: “Një armatë e madhe amerikane është në lëvizje”

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka rritur ndjeshëm tonet ndaj Iranit, duke paralajmëruar se një forcë e fuqishme ushtarake amerikane është nisur drejt rajonit, ndërsa fati i situatës do të varet nga ecuria e negociatave me Teheranin.

“Në këtë moment kemi një armatë të madhe detare – quajeni flotilje apo si të doni – që po shkon drejt Iranit, madje më e madhe se ajo që kishim gjatë krizës në Venezuelë,” deklaroi Trump para mediave. Ai theksoi se mobilizimi aktual është më i gjerë si në përmasa ashtu edhe në kapacitete ushtarake.

Sipas presidentit amerikan, gjithçka do të varet nga qëndrimi i Iranit në tryezën e bisedimeve. “Nëse arrijmë një marrëveshje, kjo do të ishte diçka shumë pozitive. Nëse jo, atëherë do të shohim çfarë do të ndodhë,” u shpreh ai, duke mos përjashtuar opsionin ushtarak, por duke theksuar se shpreson të mos jetë e nevojshme përdorimi i forcës.

Trump bëri të ditur gjithashtu se komunikimet me Teheranin nuk janë ndërprerë. “Kam pasur kontakte dhe planifikoj të tjera. Ne jemi të fortë ekonomikisht dhe ushtarakisht, dhe tani kemi një forcë ajro-detare që po lëviz drejt Iranit. Shpresoj të mos na duhet ta përdorim,” shtoi ai.

Presidenti amerikan ka paralajmëruar vazhdimisht se “koha po mbaron” për Iranin, duke theksuar se çdo ndërhyrje e mundshme ushtarake e SHBA-së do të ishte e ashpër dhe me përmasa të mëdha.

Nga ana tjetër, Teherani ka sinjalizuar gatishmëri për dialog. Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, deklaroi në Stamboll se Irani është i hapur për rifillimin e bisedimeve me SHBA-në, por vetëm nëse ato janë “të drejta” dhe nuk prekin kapacitetet mbrojtëse të vendit.

Ndërkohë, sipas burimeve amerikane, një grup i madh goditës detar i SHBA-së, i udhëhequr nga aeroplanmbajtësja USS Abraham Lincoln, ka hyrë në zonën e përgjegjësisë së Komandës Qendrore që mbulon Lindjen e Mesme. Flota përfshin destrojerë me raketa të drejtuara dhe një kontingjent të gjerë avionësh luftarakë, përfshirë F/A-18 Super Hornet, EA-18G Growler, F-35C dhe helikopterë MH-60R/S.

Megjithatë, raportime të fundit tregojnë se forca detare nuk ndodhet ende në pozicion të plotë operacional, çka do të thotë se nuk ka arritur ende në vendndodhjen përfundimtare të dislokimit.