KTHESE E FORTE/ Izraeli pranon shifrën tronditëse – Rreth 70 mijë palestinezë të vrarë në Gaza

Në një zhvillim që shënon kthesë të madhe në narrativën zyrtare të luftës, ushtria izraelite ka pranuar si realiste shifrat e viktimave të publikuara nga autoritetet shëndetësore në Gaza, duke dalë për herë të parë me një vlerësim të përgjithshëm të numrit të të vrarëve.

Sipas një zyrtari të lartë të sigurisë që informoi mediat izraelite, rreth 70 mijë palestinezë janë vrarë nga sulmet ajrore izraelite që prej tetorit 2023, pa përfshirë personat që rezultojnë ende të zhdukur. Ky pranim përbën një ndryshim drastik, pasi për më shumë se dy vite, zyrtarë dhe media izraelite i kishin hedhur poshtë shifrat palestineze, duke i cilësuar si propagandë dhe të pasakta.

Deri më tani, Izraeli kishte publikuar kryesisht të dhëna mbi militantët palestinezë që pretendonte se kishte eliminuar. Por tani, shifrat e përgjithshme të viktimave – që sipas burimeve palestineze kanë kaluar 71 mijë – janë konsideruar nga ushtria izraelite si “shumë të sakta”.

Ky ndryshim qëndrimi pritet të thellojë debatin ndërkombëtar mbi ligjshmërinë e operacioneve ushtarake në Gaza. Komisione të OKB-së, organizata për të drejtat e njeriut dhe studiues të pavarur kanë ngritur akuza për krime lufte dhe madje gjenocid, duke shtuar presionin për hetime të plota dhe llogaridhënie.

Gazeta izraelite Haaretz ka ngritur gjithashtu pikëpyetje mbi domethënien e këtij pranimi të vonuar, duke theksuar se ai prek drejtpërdrejt besueshmërinë e narrativës zyrtare izraelite për konfliktin.

Izraeli ka pranuar gjithashtu se mbi dy të tretat e viktimave janë civilë, një konstatim që bie ndesh me pretendimet e mëparshme se shumica e të vrarëve ishin militantë. Ushtria kishte deklaruar se kishte vrarë rreth 22 mijë militantë, por përqindja e re sugjeron një numër shumë më të lartë civilësh mes viktimave.

Në një zhvillim paralel, Izraeli ka njoftuar se do të rihapë kalimin e Rafahut me Egjiptin, për herë të parë që prej marrjes së kontrollit të kufirit në maj 2024. Kalimi do të lejojë lëvizjen e palestinezëve që duan të aplikojnë për t’u rikthyer, por do të mbetet nën kontroll të plotë izraelit, ndërsa mbikëqyrja do të përfshijë edhe një forcë të Bashkimit Evropian.

Megjithatë, rihapja e pjesshme e kalimit pritet të ketë ndikim të kufizuar në krizën e thellë humanitare në Gaza, ku mungesat e ushqimit, ilaçeve dhe strehimit vazhdojnë të rëndojnë situatën. Zhvillimet e fundit e shtojnë edhe më shumë presionin ndërkombëtar për një zgjidhje afatgjatë dhe të qëndrueshme të konfliktit.