Tragjedi në Kongo – Shembja e një miniere lë të paktën 227 viktima

Një aksident i rëndë ka ndodhur në Rubaya, në lindje të Republikës Demokratike të Kongos, ku shembja e një miniere ka shkaktuar vdekjen e të paktën 227 personave.

Sipas raportimeve ndërkombëtare, bilanci i saktë i viktimave vijon të verifikohet, ndërsa ekziston frika se shumë minatorë mund të jenë ende të bllokuar nën rrënoja. Operacionet e kërkim-shpëtimit po vazhdojnë në kushte të vështira.

Zëdhënësi i guvernatorit të provincës, Lubumba Kambere Muyisa, bëri të ditur se mes viktimave ka jo vetëm minatorë, por edhe gra dhe fëmijë që ndodheshin në zonë për aktivitete tregtare. Disa persona arritën të shpëtohen në momentet e fundit, por kanë pësuar lëndime të rënda.

Një këshilltar i guvernatorit konfirmoi se numri i viktimave të identifikuara deri tani ka arritur të paktën në 227, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se bilanci mund të rritet.