Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka dalë me një deklaratë të prerë, duke kërkuar që procesi i anëtarësimit të Ukrainës në Bashkimin Evropian të përmbyllet brenda vitit 2027.
Sipas tij, integrimi në BE nuk është vetëm objektiv politik, por pjesë thelbësore e garancive të sigurisë për shtetin ukrainas, në kushtet e luftës dhe kërcënimeve të vazhdueshme.
Zelensky e bëri të qartë këtë qëndrim pas një bisede telefonike me kancelarin austriak Christian Stocker, duke theksuar se Kievi po kërkon mbështetje të drejtpërdrejtë nga partnerët evropianë për një afat konkret.
“Kjo është arsyeja pse po flasim për një datë specifike – 2027 – dhe po mbështetemi te partnerët për të mbështetur qëndrimin tonë”, shkroi ai në platformën X.
Deklarata e Zelenskyt rrit presionin mbi BE-në për të përshpejtuar procesin e zgjerimit, duke e kthyer anëtarësimin e Ukrainës nga një aspiratë afatgjatë në një objektiv me afat të caktuar politik dhe strategjik.









