DEKLARATA/ Orban nuk përmbahet ndaj BE-së: “Do ta fusin Evropën në borxhe për Ukrainën, paratë nuk kthehen më!”

Kryeministri hungarez Viktor Orban ka lëshuar një paralajmërim të fortë ndaj Bashkimit Evropian, duke deklaruar se financimi i Ukrainës do ta zhysë kontinentin në borxhe që, sipas tij, nuk do të shlyhen kurrë.

Në një reagim publik, Orban sulmoi planin e Brukselit për t’i dhënë Kievit ndihmë shumëmiliardëshe përmes huamarrjes së përbashkët nga vendet e BE-së. Sipas tij, kjo skemë po u shitet evropianëve si kredi që do të rikthehet, por realiteti do të jetë krejt tjetër.

“Brukseli do ta shtyjë të gjithë Evropën në borxhe për hir të financimit të Ukrainës”, deklaroi Orban, duke shtuar se Kievi nuk do të jetë në gjendje t’ua kthejë këto para vendeve evropiane.

Ai theksoi se plani për ndihmën financiare mbështetet nga udhëheqja e BE-së, por edhe nga opozita hungareze, duke e përdorur këtë çështje si sulm të drejtpërdrejtë politik brenda vendit të tij.

“Ata thonë se është një kredi që do të shlyhet. Unë them: le të fitojë Tisza zgjedhjet – po aq sa ukrainasit do ta shlyejnë këtë kredi”, ironizoi Orban.

Deklaratat e tij thellojnë përplasjen mes Budapestit dhe Brukselit, në një kohë kur BE po përpiqet të mbajë të unifikuar frontin financiar dhe politik në mbështetje të Ukrainës.